Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

13 Maj 2025

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Gjermania ultimatum Rusisë: Pranoni armëpushimin deri në mesnatë ose do ketë sanksione të reja

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Qeveria gjermane i ka dhënë Rusisë afat deri në mesnatën e së hënës për të pranuar propozimin për armëpushim, në të kundërt do të përballet me sanksione të reja dhe më të ashpra. Kështu deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, gjatë një konference për shtyp.

Berlini paralajmëroi Kremlinin se nëse nuk bie dakord me planin e propozuar nga Ukraina dhe aleatët europianë, sanksionet e reja do të përgatiten dhe zbatohen menjëherë.

“Ora po troket, kemi edhe 12 orë deri në fund të ditës,” tha Kornelius rreth mesditës, duke shtuar se Gjermania po bashkëpunon ngushtë me partnerët evropianë për masat e reja.

Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj planit të armëpushimit gjatë fundjavës, por ka propozuar që Ukraina të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta në Stamboll të enjten.

Tregjet ndërkombëtare reagojnë pozitivisht pas marrëveshjes SHBA-Kinë për uljen e tarifave

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Tregjet financiare u rritën ndjeshëm të hënën, pasi Donald Trump deklaroi se bisedimet me Kinën gjatë fundjavës kishin sjellë një "ripërcaktim të plotë" të kushteve tregtare mes dy vendeve.

Bisedimet e mbajtura në Zvicër rezultuan në ulje të ndjeshme të tarifave që ishin vendosur nga të dyja palët që prej janarit. SHBA do të ulë tarifat nga 145% në 30%, ndërsa Kina do të reduktojë tarifat e saj nga 125% në 10%.

Presidenti Trump paralajmëroi se disa nga këto tarifa janë vetëm të pezulluara dhe mund të rikthehen pas tre muajsh, nëse nuk ka përparime të mëtejshme në negociata.

Zbulohen dokumente naziste në bodrumin e Gjykatës së Lartë në Argjentinë

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Kuti që përmbanin dokumente nga Gjermania naziste janë gjetur në bodrumin e Gjykatës së Lartë të Argjentinës, një zbulim i pazakontë që ka ngjallur interes të madh historik dhe diplomatik.

Dokumentet u gjetën ndërsa punonjësit po pastronin bodrumin e ndërtesës në prag të zhvendosjes së arkivave në një muze të ri. Sipas zyrtarëve të gjykatës, këto materiale ishin dërguar nga ambasada gjermane në Tokio dhe kishin mbërritur në Argjentinë më 20 qershor 1941, brenda 83 zarfeve diplomatike.

Në të njëjtin vit, ato përfunduan në Gjykatën e Lartë pasi u sekuestruan nga dogana argjentinase. Zyrtarët doganorë kishin hapur pesë nga zarfet dhe kishin zbuluar materiale propagandistike naziste, çka i bëri autoritetet të ndërhyjnë.

Trump viziton Arabinë Saudite për të forcuar bashkëpunimin mes tyre

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të mbërrijë të martën në Arabinë Saudite, përpara se të vizitojë Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë javës. Kjo vizitë është pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të tërhequr më shumë investime nga vendet e Gjirit.

Fillimisht, Trump kishte planifikuar që vizita në Arabinë Saudite të ishte ndalesa e tij e parë zyrtare jashtë vendit që nga inaugurimi, por vdekja e Papa Françeskut solli një vizitë të parakohshme në Romë.

Pas uljes së tensioneve tregtare me Kinën gjatë fundjavës, Trump do të takohet me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman. Ky i fundit ka premtuar tashmë një investim prej 600 miliardë dollarësh në SHBA për katër vitet e ardhshme, megjithëse Trump ka deklaruar se synon ta rrisë këtë shumë në 1 trilion dollarë. Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite (PIF), ka tashmë investime të konsiderueshme në SHBA, përfshirë në kompani si Uber.