Të gjithë ata që e kanë ndjekur ndër vite Eurovision-in, e dinë mirë: Shqipëria ka pasur herë suksese që na kanë bërë krenarë, e herë të tjera kemi thënë me plot gojën “kjo është e gjitha gjeopolitike”.
Më poshtë po ju kujtojmë të gjitha rastet kur këngëtarët shqiptarë janë kualifikuar në finalen e madhe, të renditur sipas vendit të arritur:
Ata që na bënë të ndihemi si fitues – edhe pse pa kupë:
Rona Nishliu (2012) – me baladën drithëruese “Suus”, Rona rrëmbeu vendin e 5-të, rezultati më i lartë i Shqipërisë deri më sot. Ajo dhuroi një performancë emocionuese që pushtoi Europën.
Anjeza Shahini (2004) – debutimi i Shqipërisë në Eurovision nuk mund të ishte më i mirë. “The Image of You” u rendit në vendin e 7-të.
Eugent Bushpepa (2018) – me këngën “Mall”, Eugenti dalloi si një nga vokalet më të mirë që ka përfaqësuar ndonjëherë Shqipërinë, duke u renditur në vendin e 11-të. Ai mori shumë vlerësime të larta nga kritikët.
Ata që arritën finalen, por ndoshta meritonin më shumë:
Ledina Çelo (2005) – Pas suksesit të Anjeza Shahinit, Ledina kishte automatikisht një biletë drejt finales. “Tomorrow I Go” kishte dramë, ritëm dhe atë “grintën” tipike të Ledinës. Ajo u rendit në vendin e 16-të.
Juliana Pasha (2010) – Një zë brilant, një performancë plot shkëlqim dhe një këngë që s’kishte asgjë mangët nga ato të vendeve të tjera. Megjithatë, “It’s All About You” përfundoi në vendin e 16-të dhe ne mbetëm me atë ndjesinë “po pse jo më lart?!”.
Të gjitha këngët e mëposhtme janë renditur në vendin e 17-të:
Olta Boka (2008) me “Zemrën e lamë peng” – një baladë e ndjerë që ende e dëgjojmë në momente nostalgjie.
Kejsi Tola (2009) me “Carry Me in Your Dreams” – një performancë ëndërrimtare që s’u vlerësua siç duhet.
Elhaida Dani (2015) me “I’m alive” u prit mirë nga publiku, por kënga nuk pati fat me votat.
Jonida Maliqi (2019) me “Ktheju tokës” – një kombinim epik mes mesazhit të fortë dhe zërit të fuqishëm të Jonidës, që do duhej të kishte shkuar shumë më lart.
Ata që ranë në fund të renditjes (por jo në zemrat tona):
Anxhela Peristeri (2021) me “Karma”, një këngë që ndërthurte traditën, stilin ballkanik dhe vokalin e fuqishëm u rendit në vendin 21.
Albina & Familja Kelmendi (2023) me “Duje” që sollën një formë të re të përfaqësimit në Eurovision.
Shpresat e reja:
Shkodra Elektronike (2025) janë kualifikuar në finalen e këtij viti me këngën “Zjerm” dhe kanë ndezur rrjetin. Tani mbetet të shohim ku do të renditen.
Eurovision 2020, kur Shqipëria do të përfaqësohej me Arilena Arën dhe këngën “Fall from the sky” u anulua për shkak të pandemisë.
Në vijim gjeni listën e këngëtarëve që nuk shkuan në finale.