Karol Nawrocki fiton zgjedhjet presidenciale në Poloni
Kandidati konservator Karol Nawrocki ka fituar balotazhin presidencial në Poloni, sipas rezultateve përfundimtare të votimit të fundjavës.
Nawrocki siguroi 50.89% të votave në një garë tepër të ngushtë kundër kryebashkiakut liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, i cili mori 49.11%.
Rezultati i ngushtë i mbajti qytetarët në tension gjatë gjithë fundjavës e deri të hënën. Këto ndasi pasqyrojnë ndarjet politike në kufirin lindor të NATO-s dhe Bashkimit Europian.
Protestë në Budapest kundër ligjit që kufizon lirinë e shprehjes
Të dielën pasdite, protestues hungarezë u mblodhën në Budapest dhe marshuan në heshtje në qytet.
Protesta ishte një akt simbolik kundër një projektligji të propozuar që, sipas kritikëve, synon të heshtë kundërshtarët e qeverisë dhe të kufizojë qasjen në media dhe organizata joqeveritare.
“Qeveria mendon se është e rrezikshme të flasësh për ata që nuk dëgjohen. Ndërsa unë po punoj që çdo qytetar në Hungari të jetojë në një mjedis të sigurt,” tha Eniko Toth, drejtoreshë e fushatës së kësaj organizate.
Ky ligj ka nxitur shqetësime të mëdha edhe brenda Bashkimit Europian, me më shumë se 20 shtete anëtare që kanë kërkuar nga Hungaria ta rishikojë, duke e konsideruar si një shkelje të vlerave themelore të BE-së, përfshirë dinjitetin njerëzor, lirinë dhe barazinë.
Arabia Saudite ndalon mbi 269 mijë pelegrinë pa leje për Haxhin
Arabia Saudite ka ndaluar gati 269,678 persona pa autorizim që të hyjnë në Mekë për pelegrinazhin vjetor të Haxhit.
Autoritetet fajësojnë mbipopullimin për shkak të pelegrinëve pa leje dhe pretendojnë se një pjesë e madhe e 1,300 viktimave nga vapa e verës së kaluar ishin ndër ata persona.
Ky numër i lartë ndalimesh thekson shkallën e përpjekjeve të paautorizuara për të kryer Haxhin, si dhe kërkesën e madhe për këtë ritual fetar. Aktualisht ndodhen rreth 1.4 milion myslimanë në Mekë dhe pritet që më shumë të mbërrijnë në ditët në vijim.
Kushdo që kryen Haxhin pa leje përballet me gjoba deri në 5,000 dollarë (rreth 4,400 euro) dhe masa të tjera ndëshkuese, përfshirë deportimin. Kjo politikë zbatohet edhe për shtetasit sauditë dhe banorët me leje qëndrimi.
Dy të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pas festimeve të fitores së PSG-së
Autoritetet franceze kanë konfirmuar se dy persona kanë humbur jetën pas festimeve në të gjithë Francën për fitoren historike të Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, trofeu më i rëndësishëm në futbollin europian për klube.
Një djalë 17-vjeçar u vra me thikë në qytetin Dax gjatë një feste në rrugë, sipas policisë.
Një tjetër person vdiq në Paris gjatë një aksidenti njoftoi Ministria e Brendshme. Rrethanat e të dyja ngjarjeve janë nën hetim.
Ministria raportoi gjithashtu se 18 oficerë policie u plagosën në Paris, si dhe tre të tjerë në qytete të ndryshme. Po ashtu, 192 qytetarë që festonin u lënduan.